PARTNERITETI ME INSTITUTET E KUALIFIKIMIT GJYQËSOR

Ne punojmë nga afër me institutet e trajnimit gjyqësor (ang. JTI) në rajon në kuadër të hartimit, realizimit dhe zbatimit të të gjitha aktiviteteve të Rrjetit.

Në korrik 2022, kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me secilin JTI në rajon, për të shënuar zyrtarisht fillimin e bashkëpunimit tonë drejt ngritjes së Rrjetit GCJ.

Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve bilaterale, Qendra AIRE ka vendosur bashkëpunimin me Institucionet e Kualifikimit Gjyqësor (ang. JTI) në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke shtruar themelet për aktivitetet e ardhshme të Rrjetit.

Shkolla e Magjistraturës në Shqipëri

Profesori Sokol Berberi nga Shkolla e Magjistraturës në Shqipëri pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit u shpreh:

“Trajnimet për Barazinë Gjinore dhe seminaret në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri kanë për qëllim të sjellin në vëmendjen e gjyqtarëve faktin që efektiviteti i legjislacionit për barazinë gjinore varet në masë të madhe nga aplikimi dhe interpretimi i tij, meqenëse gjyqtarët janë në pozicione strategjike për ta përcaktuar një efektivitet të tillë me anë të përdorimit të duhur të këtij legjislacioni në vendimet e tyre, veçanërisht në promovimin dhe forcimin e të drejtave të grave. Iniciativa e GCJ-së kontribuon më tej në vlerat pozitive që akademitë dhe shkollat rajonale të drejtësisë kanë fituar gjatë viteve të bashkëpunimit me Qendrën AIRE. Qendra AIRE është një prej partnerëve më të vjetër të Shkollës së Magjistraturës. Bashkëpunimi ynë ka nisur që nga viti 1999, kur organizuam trajnime për gjyqtarët dhe prokurorët, së bashku me Këshillin e Evropës. Forcimi i partneritetit tonë me anë të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, sërish, riafirmon vullnetin tonë për të vazhduar punën e përbashkët drejt implementimit të objektivave të përbashkëta të trajnimit profesional, sepse trajnimi gjyqësor është vërtet faktor shumë i rëndësishëm në luftën kundër pabarazive dhe padrejtësive.”

Qendra Gjyqësore dhe Prokuroriale e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës

Drejtori i Qendrës Gjyqësore dhe Prokuroriale të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës Arben Murtezić tha, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Sot është ditë e rëndësishme për disa arsye. Së pari, jemi duke shkuar një hap më tej drejt fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, rëndësia e të cilit nuk kërkon elaborim. Së dyti, vetë esenca e Memorandumit, barazia gjinore, është një prej temave kyçe në çdo shoqëri demokratike, dhe përpjekjet për ta arritur këtë nuk duhet të kursehen. Jemi të lumtur që Qendra AIRE është ajo që i mbështet dhe i moderon këto aktivitete, duke pasur parasysh përvojën e madhe që ka dhe përvojat jashtëzakonisht pozitive të tërë rajonit në bashkëpunimin me këtë organizatë të njohur botërisht.”

Qendra Gjyqësore dhe Prokuroriale në Republika Srpska

Drejtori i Qendrës Gjyqësore dhe Prokuroriale në Republika Srpska Tomislav Čavić tha, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Ne kemi punuar në vazhdimësi drejt ndërgjegjësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për nevojën e trajnimit dhe edukimit të tyre. Besoj se këtë qëllim e kemi arritur gjatë 20 viteve të fundit. Gjyqtarët dhe prokurorët e njohin rëndësinë e punës së vazhdueshme për informimin dhe përmirësimin e vetvetes. Fakti që përfaqësuesit e akademive dhe institucioneve në tërë rajonin, si dhe në Evropë, janë me ne sot është konfirmim i mëtejshëm i punës sonë. Prej sot, nisja e Rrjetit GCJ do të sigurojë trajnime gjyqësore të cilësisë së lartë për të ngritur vetëdijen në lidhje me barazinë gjinore dhe për të shtypur njëanshmëritë dhe stereotipet gjinore si shkaktarë të diskriminimit kundër grave. Trajnimet e vazhdueshme gjyqësore do të përjashtojnë rrezikun e njëanshmërisë dhe stereotipeve gjinore që dëmtojnë paanshmërinë e gjyqtarëve. Për fund, gjykatat kanë detyrimin që të mbrojnë në mënyrë efektive realizimin e të drejtave dhe lirive që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe që janë të ngërthyera në konventat ndërkombëtare dhe instrumentet ndërkombëtare përkatëse.”

Akademia e Drejtësisë e Kosovës

Drejtori i Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, Enver Fejzullahu, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Akademia e Drejtësisë e Kosovës ka kënaqësinë të jetë pjesë e përpjekjeve për të ngritur Rrjetin e Kampionëve të Çështjeve Gjinore (ang. Rrjeti GCJ), që do të arrihet sot me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit nga akademitë gjyqësore dhe qendrat e trajnimit në rajon. Duke ditur rëndësinë e trajnimeve në fushën e barazisë gjinore, Akademia e Drejtësisë e Kosovës ka filluar zbatimin e trajnimeve për barazinë gjinore dhe mos-diskriminimin në vitin 2017. Që nga ajo kohë, këto trajnime janë ofruar rregullisht për gjyqtarët, prokurorët, dhe profesionistët ligjorë në gjyqësor dhe jo vetëm. Trajnimet mbulojnë si të drejtën substanciale ashtu edhe atë procedurale që qeveris pasurinë, punësimin, trashëgiminë dhe qeverisjen.”

Qendra Malazeze e Trajnimit për Gjyqësorin dhe Prokurorinë Shtetërore

Ljiljana Lakić, Kryetare e Qendrës Malazeze të Trajnimit për Gjyqësorin dhe Prokurorinë Shtetërore, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Qendra Malazeze e Trajnimit për Gjyqësorin dhe Prokurorinë Shtetërore, si institucioni kombëtar i trajnimit gjyqësor, ka kohë që ka njohur rëndësinë e zgjerimit të vazhdueshëm të njohurive në lidhje me barazinë gjinore, si përmes trajnimit fillestar të kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë, ashtu edhe përmes trajnimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve shtetërorë. Duhet të theksoj se Qendra AIRE është një prej partnerëve tanë të parë dhe më të rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë, i cili ka nisur në vitin 2000, ka përfshirë aktivitete që synojnë thellimin e shkathtësive dhe njohurive për zbatimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me punën e gjyqësorit.”

Akademia e Maqedonisë së Veriut për Gjyqtarët dhe Prokurorët e Shtetit

Drejtoresha e Akademisë së Maqedonisë së Veriut për Gjyqtarët dhe Prokurorët e Shtetit, Natasha Gaber-Damjanovska, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Barazia gjinore është e ngërthyer si e drejtë civile dhe politike në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh që të drejtat e barabarta të grave dhe burrave janë thelbësore për zhvillimin dhe përparimin e tërësishëm të shoqërisë, Akademia i ka përfshirë trajnimet për barazinë gjinore si në programet fillestare të trajnimit, ashtu edhe në trajnimet e vazhdueshme. Avancimi i mëtejshëm i këtyre të drejtave kërkon vetëdijesim më të madh rreth barazisë gjinore dhe rënie të numrit të krimeve me bazë gjinore. Kjo është arsyeja përse Akademia, në bashkërendim me partnerët e saj ndërkombëtarë, përfshirë Qendrën AIRE, ka avokuar për fokus më të madh mbi këto vlera evropiane nga ana e komunitetit të profesionistëve, në mënyrë të veçantë nga gjyqësori.”

Akademia Gjyqësore e Serbisë

Drejtori i Akademisë Gjyqësore të Serbisë, Nenad Vujić, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Trajnimet për barazinë gjinore janë një nga prioritetet programore të Akademisë Gjyqësore të Serbisë. Ato janë pjesë e kurrikulës së trajnimeve fillestare për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, dhe njëkohësisht janë pjesë e trajnimeve të vazhdueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bashkëpunimi rajonal me mbështetjen e Qendrës AIRE, partnerja shumëvjeçare e institucioneve të trajnimit gjyqësor të rajonit, do të përmirësojë më tej trajnimet e barazisë gjinore, e po ashtu edhe praktikat gjyqësore dhe prokuroriale në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme.”

Share This