Struktura jonë

Anëtarët

Bordi Rajonal

Përkrahësit (Patronët)

Partneriteti me institutet e kualifikimit gjyqësor

Bashkëpunim më i gjerë

ANËTARËT

Rrjeti GCJ është i përbërë nga gjyqtarë prej gjashtë juridiksioneve të Ballkanit Perëndimor, nga të gjitha fazat e karrierës së tyre. Të gjithë anëtarët janë të përkushtuar ndaj avancimit të barazisë gjinore në mënyrë të atillë që të çojë drejt përparimit të grave dhe burrave.

Një Bord Rajonal i përbërë nga ekspertë të lartë prej tërë rajonit është organi që përcakton strategjinë, orientimin dhe prioritetet e Rrjetit, duke u siguruar që Rrjeti të trajtojë fushat e interesit, problemet dhe prioritetet si në nivel lokal, ashtu edhe në atë rajonal.

Anëtarësia e Bordit tonë Rajonal vazhdon të rritet. Deri në fund të vitit 2022, anëtarët do të përbëhen nga gjyqtarë dhe ekspertë nga të gjitha juridiksionet pjesëmarrëse.

ANËTARËT RAJONALË TË BORDIT

Biljana Braithwaite

Drejtoreshë e Programit për Ballkanin Perëndimor, Qendra AIRE

Biljana udhëheq Programin e Shtetit të së Drejtës për Ballkanin Perëndimor. Në 20 vitet e fundit ajo ka drejtuar mbi pesëdhjetë projekte të gjera të shtetit të së drejtës në partneritet me institucione kombëtare dhe agjenci ndërkombëtare kyçe. Ato përfshijnë barazinë gjinore dhe forma të tjera të ndihmës teknike, trajnime për të drejtat e njeriut, reforma legjislative, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me profesion juriste, e diplomuar në Universitetin e Beogradit dhe Institutin Raul Wallenberg të Universitetit Lund, Biljana e ka nisur karrierën e saj në Qendrën e të Drejtave të Njeriut në Beograd. Ajo ka themeluar dhe është bashkë-redaktore e buletinit ligjor profesional “Të Drejtat e Njeriut në Evropë”, tani në edicionin e tij të 150-të. Kohët e fundit, ajo ka qenë bashkautore e një serie udhërrëfyesish për gjyqtarë, vendimmarrës dhe ushtrues të profesionit në Evropën Juglindore, me fokus tek një sërë temash nga fusha e të drejtave të njeriut, përfshirë gjyqin e drejtë dhe gjyqësorët e pavarur, migracionin, Covid-19 dhe impaktin e tij mbi të drejtat e njeriut, dhe barazinë gjinore në jurisprudencën e KEDNj-së. Ajo është anëtare e bordeve të Qendrës AIRE SHBA dhe e Urave Ndërkombëtare për Drejtësi.

Kosana Beker

Eksperte e Barazisë Gjinore

Kosana Beker ka doktoraturë nga Qendra për Studime Gjinore e Universitetit të Novi Sadit, në fushën e diskriminimit ndërsektorial të grave. Ajo ka shumë vite që vepron si juriste dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e të drejtave të grave. Momentalisht, është Drejtoreshë e Programeve në Organizatën e të Drejtave të Grave FemPlatz, dhe punon si konsulente për çështje të anti-diskriminimit dhe barazisë gjinore. Ajo është autore e shumë raporteve, analizave dhe publikimeve mbi zbatimin e legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar kundër diskriminimit, të drejtave të grave dhe të drejtave të aftësive të kufizuara.

Sabina Đapo

Menaxhere Programi për Programin e Sundimit të Ligjit të Ballkanit Perëndimor

Sabina menaxhon programin e përgjithshëm të Sundimit të Ligjit për Ballkanin Perëndimor. Ajo punon me menaxherët e projektit për t’i mbështetur ata për të planifikuar dhe për të ekzekutuar aktivitetet e projektit, si dhe për menaxhimin e burimeve dhe sigurimin e koordinimit dhe sinergjisë në të gjitha projektet. Ajo drejton punën e Qendrës për monitorimin dhe vlerësimin dhe merret edhe me menaxhimin e donatorëve. Ajo ka mbi 20 vjet përvojë në menaxhimin e programeve dhe projekteve brenda organizatave ndërkombëtare dhe shumëkombëshe, dhe ka shënjuar arritje të shumta në planifikimin strategjik, zhvillimin dhe zbatimin e programeve dhe projekteve, rishikimin dhe vlerësimin e performancës. Ajo i kushton vëmendje të veçantë qeverisjes së mirë, llogaridhënies dhe transparencës, dhe zhvillimit ekonomik. Gjatë pesë viteve të fundit, ajo i ka kushtuar vëmendje parësore barazisë gjinore duke u përqendruar në veçanti te fuqizimi ekonomik i grave. Gjatë COVID-19-ës, Sabina organizoi disa sesione me universitete në të gjithë BiH-në mbi keqinterpretimin e grave në jetën publike, duke kontaktuar me mbi 300 studentë dhe profesorë. Kur punonte në Ambasadën Britanike në Sarajevë, Sabina punoi për zhvillimin e zotimit gjinor, i cili është një dokument i brendshëm që rendit angazhimet e organizatës drejt të drejtave të barabarta të burrave dhe grave.

Vanja Radević

Eksperte Ligjore

Gjatë karrierës së saj, Vanja Radević ka mbajtur pozita të ndryshme në sistemin gjyqësor malazez dhe në institucione qeveritare. Ajo ka punuar në Gjykatën e Lartë të Malit të Zi, ku ka ngritur njohuritë për të drejtat e njeriut duke punuar si Këshilltare e Përfaqësuesit Shtetëror Malazez pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjatë Asamblesë së 42-të të Qeverisë Malazeze, ajo ka mbajtur pozitën e Këshilltares së Kryeministrit për Politikë të Jashtme. Ajo ka qenë pjesë e grupeve të ndryshme punuese brenda Këshillit të Evropës në lidhje me sektorin civil dhe në institucionet kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, ajo është bashkautore e shumë publikimeve që analizojnë zbatimin e legjislacionit për të drejtat e njeriut në Mal të Zi.

Ardjana Shehi Kalo

Avokate dhe bashkëadministratore e Zyrës së Avokatisë dhe Konsulencës AK Partners Legal & Consulting

Ardjana Shehi Kalo, ka mbi 30 vite përvojë profesionale, kryesisht si avokate në Shqipëri. Ardjana është bashkëadministratore e Zyrës AK Partners Legal & Consulting. Ajo ka punuar si avokate, konsulente ligjore dhe trajnere për shumë organizata ndërkombëtare (për shembull, OJQ dhe agjenci zhvillimi), si dhe ambasada të huaja, grupe konsulence ndërkombëtare, kompani të listuara në Fortune dhe institucione akademike.

Për shumë vite Ardjana ka qenë pedagoge dhe trajnere në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri. Ajo është autore e shumë artikujve juridikë të botuar në botime vendase dhe të huaja dhe është bashkëautore e tre librave juridikë. Për shumë vite Ardjana është vlerësuar si Avokate Shumë e Respektuar e IFLR100-ës dhe ka shërbyer si Këshilltare Ligjore e Ambasadës Austriake në Tiranë.

Gjatë gjithë karrierës së saj profesionale, Ardjana është përfshirë në çështjet gjinore. Ajo ka mbrojtur të drejtat ligjore të grave dhe në veçanti fuqizimin e tyre ekonomik. Për këtë qëllim ajo ka shërbyer edhe si anëtare e bordit të organizatave dhe projekteve të përqendruara te të drejtat për barazi gjinore dhe çështje të tjera gjinore. Ajo gjithashtu ka përdorur përfshirjen e saj në arte pamore si mjet për të promovuar të drejtat e grave. Ardjana synon të shërbejë si model për gratë në Shqipëri.

Ardjana është diplomuar për LLM të inkorporuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tiranës. Ajo gjithashtu ka kryer studimet Master në Administrim Biznesi (MBA) nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Nebraskës (SHBA).

Lejla Konjić Dragović

Gjyqtare në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës

Lejla Konjić Dragović, ka mbajtur poste të ndryshme gjatë karrierës së saj në sistemin gjyqësor të Bosnjë dhe Hercegovinës. Ajo është gjyqtare që nga viti 2010 dhe ka punuar në të gjitha llojet e çështjeve penale, përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut. Ajo është lektore në Qendrën për Edukimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe është trajnere e certifikuar e Këshillit të Evropës.

Ajo ka shërbyer si anëtare e grupeve të ndryshme të punës për tema të ndryshme në lidhje me dhunën me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje, veprën penale të përdhunimit, ushtrimin e të drejtës për pronësi, etj. Ajo është autore dhe bashkëautore e disa botimeve në lidhje, ndër të tjera, me veprat penale të përdhunimit dhe dhunës në familje në sistemin gjyqësor. Ajo gjithashtu ka shkruar mbi praktikën gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Lejla ka diplomën Bachelor nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Sarajevës dhe ka kryer studimet për diplomën Master nga Universiteti i Bolonjës për Studime Evropiane. Tema e saj e Masterit ishte “Ushtrimi i së drejtës për gjykim të drejtë sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”. Lejla mori provimin e avokatisë në nëntor të vitit 2006.

Marina Naumovska

Eksperte ligjore

Marina Naumovska, ka punuar për më shumë se 20 vjet për programet e reformës në drejtësi si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë vendor. Ajo ka shërbyer si udhëheqëse e ekipit të Grupit Ndërministror për Reformën në Gjyqësor dhe Administratën Publike në Maqedoninë e Veriut, si dhe si Ndihmës (Zëvendës) Ministre e Drejtësisë.

Ajo ka punuar si menaxhere programesh, specialiste gjyqësore dhe trajnere në programet për rritjen e kapaciteteve për të drejtat e njeriut, të cilat kanë qenë pjesë e nismave ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e punës së saj në trajnimin gjyqësor është realizuar nën kujdesin e BE-së dhe Këshillit të Evropës. Ajo ka punuar me institucione të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, Kaukaz, Letoni, Portugali, Turqi dhe Ukrainë. Ajo gjithashtu ka punuar me Bankën Botërore, OSBE-në dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Marina është autore dhe bashkëautore e botimeve të shumta, ka hartuar manuale dhe udhëzues për çështje të ndryshme që lidhen me të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, si dhe ka ofruar më shumë se pesëdhjetë sesione trajnimi për gjyqtarë. Projektet e saj më të fundit përfshijnë studime krahasuese mbi zbatimin uniform të praktikës gjyqësore, praktikat më të mira në sistemet e trajnimit gjyqësor dhe vlerësime të performancës së gjyqtarëve bazuar në standardet e Këshillit të Evropës dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Marina është diplomuar për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit Ss. Cyril and Methodious, Shkup.

Mirjana Popović

Gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Malit të Zi

Mirjana Popović, është gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Malit të Zi dhe Kryetare e Shoqatës së Grave Gjyqtare të malit të Zi (MAWJ).

Mirjana e filloi karrierën e saj ligjore si avokate, më pas u bë gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Përvoja e saj në sallën e gjyqit përfshin më shumë se 25 vjet. Që nga viti 2017 ajo është anëtare e Këshillit Konsultativ të Gjykatësve Evropianë të Këshillit të Evropës (KKGJE) në lidhje me Malin e Zi. (Këshilli Konsultativ është një organ i pavarur i Këshillit të Evropës i përbërë ekskluzivisht nga gjyqtarë ndërkombëtarë.) Që nga viti 2018, Mirjana është Raportuese për Barazinë Gjinore në KKGJE-së.

Detyrat e saj si Raportuese për Barazinë Gjinore të KKGJE-së, të marra së bashku me detyrat e saj si gjyqtare, e frymëzuan Mirjanën të zhvillonte njohuritë e saj për rëndësinë e barazisë gjinore në gjyqësor – një çështje e cila është thelbësore për transparencën, drejtësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit. Për të përmirësuar çështjet e integritetit të barazisë gjinore në gjyqësor dhe për të rritur ndërgjegjësimin për barazinë gjinore në përgjithësi, në shkurt 2023, Mirjana mori iniciativën dhe themeloi Shoqatën e parë të Grave Gjyqtare të Malit të Zi (MAWJ).

Mirjana është diplomuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Podgoricës dhe ka marrë provimin e avokatisë në Malin e Zi.

Brankica Janković

Komisionere për Barazinë

Brankica Janković, ka shërbyer si Komisionere për Mbrojtjen e Barazisë në Republikën e Serbisë pasi është zgjedhur në detyrë nga Parlamenti i vendit në vitin 2015 dhe 2020. Nga viti 2012-2014 ajo ka mbajtur postin e Sekretares së Shtetit në Ministrinë e Punës, Punësimit dhe Politikave Sociale. Më herët, ajo ka shërbyer si drejtore e Qendrës Gerontologjike në Beograd.

Brankica ka qenë anëtare e Shoqatës Gerontologjike të Serbisë për 15 vitet e fundit. Kjo përvojë e ka përfshirë atë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të moshuarve. Ajo gjithashtu ka shërbyer si vullnetare në Kryqin e Kuq të Serbisë dhe si anëtare nderi e Bel Hospice Club për kujdesin paliativ. Ajo ka shërbyer si anëtare e shoqatave të ndryshme profesionale dhe shoqatave të ekspertëve në fushën e mbrojtjes sociale.

Brankica është përfshirë në hartimin e dokumenteve të ndryshme strategjike dhe ligjore kombëtare dhe ka botuar punime dhe publikime të shumta profesionale me temën e të drejtave të të moshuarve dhe grave dhe veçanërisht luftën kundër dhunës me bazë gjinore. Brankica ka marrë çmime të shumta për punën e saj, duke përfshirë “Kontributi i Vitit në Evropë” për vitin 2018 dhe çmimin e OSBE-së “Personi i Vitit” për vitin 2017.

Ajo është diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Beogradit, ka përfunduar studimet Master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Novi Sadit dhe është studente doktorature në Fakultetin e Sigurisë në Beograd.

Rrjeti gëzon mbështetjen e një Bordi të Patronëve, i cili përbëhet nga juristë të njohur, përfshirë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Patronët reflektojnë dhe këshillojnë rreth perspektivave të së drejtës ndërkombëtare, ofrojnë mbështetje dhe këndvështrime brenda fushës së tyre të ekspertizës, si dhe ndajnë përvojat dhe praktikat e tyre. Duke e njohur këtë, me qëllim të goditjes efektive të pabarazisë gjinore, ish-Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Robert Spano, është Kryetar i Bordit të Patronëve. Shpresohet se kjo pozitë si Kryetar i Bordit do të frymëzojë gjyqtarët dhe gjyqtaret në tërë rajonin për t’u angazhuar në Rrjet dhe për të marrë veprime drejt luftimit të pabarazisë gjinore.

PËRKRAHËSIT (PATRONËT) TANË

Robert Spano

Kryetar i Bordit të Patronëve dhe ish-Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Gjyqtari Robert Spano, ish-Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është zgjedhur në postin e tij në vitin 2013 në lidhje me Islandën. Ai ka shërbyer si Kryetar Seksioni nga maji 2017, Nënkryetar i Gjykatës nga maji 2019, dhe Kryetar i Gjykatës nga majo 2020 deri më 31 tetor 2022. Para se të merrte këtë post zyrtar, ai ka shërbyer si Ombudsperson Parlamentar i Islandës në vitet 2009-2010 dhe sërish në vitin 2013. Ai ka qenë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Islandës në vitet 2010-2013, dhe profesor i së drejtës në vitin 2006. Ai ka qenë Kryetar i Komisionit të Ekspertëve të së Drejtës Penale pranë Ministrisë islandeze të Drejtësisë në vitet 2003-2009 dhe sërish në vitet 2011-2013. Gjithashtu, ka qenë i deleguari i Islandës pranë Komitetit Evropian të Çështjeve Penale dhe Ekspert i Pavarur në Komitetin Lanzarote të Këshillit të Evropës. Gjyqtari Spano është diplomuar nga Universiteti i Islandës dhe Universiteti i Oksfordit.

Siofra O’Leary

Kryetare e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Síofra O’Leary, Kryetarja e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është gjyqtarja e zgjedhur në lidhje me Irlandën dhe gruaja e parë që mban postin e Kryetares së Gjykatës së Strasburgut. E emëruar në vitin 2015, ajo ka qenë Kryetare e Seksionit të Pestë që nga janari 2020 dhe Nënkryetare e Gjykatës nga janari deri në tetor 2022. Para se t’i bashkohej Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjyqtarja O’Leary ka punuar për thuajse dy dekada në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian në cilësi gjyqësore dhe administrative. Paralelisht me punën e saj në dy gjykatat evropiane, Gjyqtarja O’Leary është Profesoreshë Vizituese në Kolegjin e Evropës së Bruksel. Ajo ka qenë pjesë e Bordit Editorial të Revistës për të Drejtën e Tregut të Përbashkët, dhe tani është anëtare e Bordit Këshillues dhe Bordit të Qendrës Irlandeze për të Drejtën Evropiane pranë këtij organi, si dhe anëtare e Shoqatës së Studiuesve Ligjorë. Në vitin 2016 ajo u zgjodh Anëtare Nderi e shoqatës Honorable Society of King’s Inns.

E diplomuar pranë Universitetit të Dublinit (BCL), me studimet post-diplomike të kryera në Institutin e Universitetit Evropian (Doktor Shkencash), Gjyqtarja O’Leary ka qenë Ndihmës Drejtoreshë në Qendrën për Studime Ligjore Evropiane në Universitetin e Kembrixhit, Hulumtuese në Kolegjin Emanuel, Hulumtuese Vizituese në Fakultetin e Drejtësisë në Kolegjin e Universitetit të Dublinit, Hulumtuese Post-Doktoratës në Universitetin Cádiz të Spanjës, dhe Hulumtuese e Asociuar pranë Institutit për Kërkime në Politika Publike në Londër. Ajo ka publikime të shumta në revista akademike dhe monografi ligjore në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore në kuadër të së Drejtës së Bashkimit Evropian dhe të KEDNj-së, të Drejtës së Punësimit të BE-së, lëvizjes së lirë të personave dhe shërbimeve dhe të shtetësisë së BE-së në përgjithësi.

Ivana Jelić

Gjyqtare e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Ivana Jelić është Gjyqtare e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Malin e Zi që nga viti 2018. Ajo është anëtare e Komisionit të Shkencave Ligjore të Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve që nga viti 2015. Është anëtare e Senatit të Shoqatës së Avokatëve Malazezë që nga viti 2018. Para se t’i bashkohej Gjykatës, ajo ka qenë Profesoreshë e Asociuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Malit të Zi. Ka shërbyer si Zv/Kryetare dhe anëtare e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (2015-2018). Gjithashtu, ka qenë eksperte e pavarur në organe të ndryshme të Këshillit të Evropës (2007-2018), mes të tjerash, si Raportuese për Çështje Gjinore dhe Zv/Kryetare e dytë e Komitetit Këshillues për Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (2012-2016). Ajo ka studiuar juridik në Universitetin e Malit të Zi, Universitetin e Beogradit, Shkollën Juridike të Berkley dhe Shkollën Juridike të Nju Jorkut si përfituese e bursave JFDP. Ajo mban gradën LL.M. (2004) dhe Doktoraturë (2007) në të drejtën publike ndërkombëtare, nga Shkolla Juridike e Beogradit, në Universitetin e Beogradit, Serbi.

Paralelisht me punën e saj në Universitet dhe në Gjykatë, Gjyqtarja Jelić ka qenë Profesoreshë Vizituese e Dalluar (2016-2017), dhe Profesoreshë Vizituese në Institutin Europa të Universitetit të Saarland, që nga viti 2019. Ajo është në Bordin Këshillues të Revistës Ligjore të Izraelit dhe Editore Këshilltare në Librin e Përvitshëm të Ballkanit për të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare. Ajo ka shumë publikime në revista akademike dhe monografi në lidhje me mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave themelore sipas KEDNj-së dhe ICCPR-së, shtetin e së drejtës, barazinë gjinore dhe të drejtat e pakicave.

Mirjana Lazarova Trajkovska

Gjyqtare e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Mirjana Lazarova Trajkovska është zgjedhur në Gjykatën Supreme të Maqedonisë së Veriut në mars të vitit 2020. Prej shkurtit 2008 deri në shkurt 2017 ajo ka qenë Gjyqtare e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nga nëntori 2015 deri në shkurt 2017 ajo ka qenë Kryetare e Seksionit të Parë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Prej vitit 2003 deri në vitin 2008 ka qenë Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë. Në vitet 2001-2003 ka qenë Kryetare e Departamentit të të Drejtave të Njeriut në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitet 2002-2003 ajo ka qenë Kryetare e Komisionit Zgjedhor Shtetëror në Republikën e Maqedonisë. Në maj të vitit 2018 ka qenë Profesoreshë Vizituese e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Renmin të Kinës në Peking. Në vitin 2017, ajo ka qenë hulumtuese vizituese në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Birmingamit, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Katolik në Lilë të Francës.

Ajo ka qenë Anëtare e Komisionit Evropian për Demokraci (Komisioni i Venecias). Ka qenë Zv/Kryetare e Këshillit të Zgjedhjeve Demokratike, anëtare e Komitetit Drejtues për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, dhe anëtare e Grupit Punues të Komitetit të Këshillit të Evropës për Ekspertët e Shtetësisë (CJ-NA-GT), i cili ka punuar në Konventën për shmangien e pashtetësisë në lidhje me Vijimësinë Shtetërore.

Ledi Bianku

Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës

Ledi Bianku mban postin e Gjyqtarit Ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës. Që nga viti 2018, ai është gjithashtu Profesor i Asociuar në Universitetin e Strasburgut. Prej vitit 2008 deri në vitin 2019, ai ka qenë Gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Shqipërinë. Më përpara ai ka qenë anëtar i Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) gjatë viteve 2006-2008. Gjithashtu, ai ka qenë Kryetar i Autoritetit Kombëtar Audio-Vizual në vitet 2006-2007. Ai ka ligjëruar lëndën e të Drejtës Publike Ndërkombëtare, të Drejtën e BE-së dhe të Drejtën e të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri prej vitit 1993 deri në vitin 2007. Ai gjithashtu ka qenë këshilltar ligjor në një sërë organesh kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe tani është Anëtar i Komisionit të Etikës në Fondacionin Princ Alberti II. Z. Bianku është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe në Kolegjin e Evropës në Bryzhë.

PARTNERITETI ME INSTITUTET E KUALIFIKIMIT GJYQËSOR

Ne punojmë nga afër me institutet e trajnimit gjyqësor (ang. JTI) në rajon në kuadër të hartimit, realizimit dhe zbatimit të të gjitha aktiviteteve të Rrjetit.

Në korrik 2022, kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me secilin JTI në rajon, për të shënuar zyrtarisht fillimin e bashkëpunimit tonë drejt ngritjes së Rrjetit GCJ.

Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve bilaterale, Qendra AIRE ka vendosur bashkëpunimin me Institucionet e Kualifikimit Gjyqësor (ang. JTI) në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke shtruar themelet për aktivitetet e ardhshme të Rrjetit.

Shkolla e Magjistraturës në Shqipëri

Profesori Sokol Berberi nga Shkolla e Magjistraturës në Shqipëri pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit u shpreh:

“Trajnimet për Barazinë Gjinore dhe seminaret në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri kanë për qëllim të sjellin në vëmendjen e gjyqtarëve faktin që efektiviteti i legjislacionit për barazinë gjinore varet në masë të madhe nga aplikimi dhe interpretimi i tij, meqenëse gjyqtarët janë në pozicione strategjike për ta përcaktuar një efektivitet të tillë me anë të përdorimit të duhur të këtij legjislacioni në vendimet e tyre, veçanërisht në promovimin dhe forcimin e të drejtave të grave. Iniciativa e GCJ-së kontribuon më tej në vlerat pozitive që akademitë dhe shkollat rajonale të drejtësisë kanë fituar gjatë viteve të bashkëpunimit me Qendrën AIRE. Qendra AIRE është një prej partnerëve më të vjetër të Shkollës së Magjistraturës. Bashkëpunimi ynë ka nisur që nga viti 1999, kur organizuam trajnime për gjyqtarët dhe prokurorët, së bashku me Këshillin e Evropës. Forcimi i partneritetit tonë me anë të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, sërish, riafirmon vullnetin tonë për të vazhduar punën e përbashkët drejt implementimit të objektivave të përbashkëta të trajnimit profesional, sepse trajnimi gjyqësor është vërtet faktor shumë i rëndësishëm në luftën kundër pabarazive dhe padrejtësive.”

Qendra Gjyqësore dhe Prokuroriale e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës

Drejtori i Qendrës Gjyqësore dhe Prokuroriale të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës Arben Murtezić tha, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Sot është ditë e rëndësishme për disa arsye. Së pari, jemi duke shkuar një hap më tej drejt fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, rëndësia e të cilit nuk kërkon elaborim. Së dyti, vetë esenca e Memorandumit, barazia gjinore, është një prej temave kyçe në çdo shoqëri demokratike, dhe përpjekjet për ta arritur këtë nuk duhet të kursehen. Jemi të lumtur që Qendra AIRE është ajo që i mbështet dhe i moderon këto aktivitete, duke pasur parasysh përvojën e madhe që ka dhe përvojat jashtëzakonisht pozitive të tërë rajonit në bashkëpunimin me këtë organizatë të njohur botërisht.”

Qendra Gjyqësore dhe Prokuroriale në Republika Srpska

Drejtori i Qendrës Gjyqësore dhe Prokuroriale në Republika Srpska Tomislav Čavić tha, pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Ne kemi punuar në vazhdimësi drejt ndërgjegjësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për nevojën e trajnimit dhe edukimit të tyre. Besoj se këtë qëllim e kemi arritur gjatë 20 viteve të fundit. Gjyqtarët dhe prokurorët e njohin rëndësinë e punës së vazhdueshme për informimin dhe përmirësimin e vetvetes. Fakti që përfaqësuesit e akademive dhe institucioneve në tërë rajonin, si dhe në Evropë, janë me ne sot është konfirmim i mëtejshëm i punës sonë. Prej sot, nisja e Rrjetit GCJ do të sigurojë trajnime gjyqësore të cilësisë së lartë për të ngritur vetëdijen në lidhje me barazinë gjinore dhe për të shtypur njëanshmëritë dhe stereotipet gjinore si shkaktarë të diskriminimit kundër grave. Trajnimet e vazhdueshme gjyqësore do të përjashtojnë rrezikun e njëanshmërisë dhe stereotipeve gjinore që dëmtojnë paanshmërinë e gjyqtarëve. Për fund, gjykatat kanë detyrimin që të mbrojnë në mënyrë efektive realizimin e të drejtave dhe lirive që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe që janë të ngërthyera në konventat ndërkombëtare dhe instrumentet ndërkombëtare përkatëse.”

Akademia e Drejtësisë e Kosovës

Drejtori i Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, Enver Fejzullahu, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Akademia e Drejtësisë e Kosovës ka kënaqësinë të jetë pjesë e përpjekjeve për të ngritur Rrjetin e Kampionëve të Çështjeve Gjinore (ang. Rrjeti GCJ), që do të arrihet sot me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit nga akademitë gjyqësore dhe qendrat e trajnimit në rajon. Duke ditur rëndësinë e trajnimeve në fushën e barazisë gjinore, Akademia e Drejtësisë e Kosovës ka filluar zbatimin e trajnimeve për barazinë gjinore dhe mos-diskriminimin në vitin 2017. Që nga ajo kohë, këto trajnime janë ofruar rregullisht për gjyqtarët, prokurorët, dhe profesionistët ligjorë në gjyqësor dhe jo vetëm. Trajnimet mbulojnë si të drejtën substanciale ashtu edhe atë procedurale që qeveris pasurinë, punësimin, trashëgiminë dhe qeverisjen.”

Qendra Malazeze e Trajnimit për Gjyqësorin dhe Prokurorinë Shtetërore

Ljiljana Lakić, Kryetare e Qendrës Malazeze të Trajnimit për Gjyqësorin dhe Prokurorinë Shtetërore, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Qendra Malazeze e Trajnimit për Gjyqësorin dhe Prokurorinë Shtetërore, si institucioni kombëtar i trajnimit gjyqësor, ka kohë që ka njohur rëndësinë e zgjerimit të vazhdueshëm të njohurive në lidhje me barazinë gjinore, si përmes trajnimit fillestar të kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë, ashtu edhe përmes trajnimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve shtetërorë. Duhet të theksoj se Qendra AIRE është një prej partnerëve tanë të parë dhe më të rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë, i cili ka nisur në vitin 2000, ka përfshirë aktivitete që synojnë thellimin e shkathtësive dhe njohurive për zbatimin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me punën e gjyqësorit.”

Akademia e Maqedonisë së Veriut për Gjyqtarët dhe Prokurorët e Shtetit

Drejtoresha e Akademisë së Maqedonisë së Veriut për Gjyqtarët dhe Prokurorët e Shtetit, Natasha Gaber-Damjanovska, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Barazia gjinore është e ngërthyer si e drejtë civile dhe politike në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh që të drejtat e barabarta të grave dhe burrave janë thelbësore për zhvillimin dhe përparimin e tërësishëm të shoqërisë, Akademia i ka përfshirë trajnimet për barazinë gjinore si në programet fillestare të trajnimit, ashtu edhe në trajnimet e vazhdueshme. Avancimi i mëtejshëm i këtyre të drejtave kërkon vetëdijesim më të madh rreth barazisë gjinore dhe rënie të numrit të krimeve me bazë gjinore. Kjo është arsyeja përse Akademia, në bashkërendim me partnerët e saj ndërkombëtarë, përfshirë Qendrën AIRE, ka avokuar për fokus më të madh mbi këto vlera evropiane nga ana e komunitetit të profesionistëve, në mënyrë të veçantë nga gjyqësori.”

Akademia Gjyqësore e Serbisë

Drejtori i Akademisë Gjyqësore të Serbisë, Nenad Vujić, tha pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit:

“Trajnimet për barazinë gjinore janë një nga prioritetet programore të Akademisë Gjyqësore të Serbisë. Ato janë pjesë e kurrikulës së trajnimeve fillestare për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, dhe njëkohësisht janë pjesë e trajnimeve të vazhdueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bashkëpunimi rajonal me mbështetjen e Qendrës AIRE, partnerja shumëvjeçare e institucioneve të trajnimit gjyqësor të rajonit, do të përmirësojë më tej trajnimet e barazisë gjinore, e po ashtu edhe praktikat gjyqësore dhe prokuroriale në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme.”

BASHKËPUNIMI MË I GJERË

Ne angazhojmë edhe hisedarë të tjerë, përfshirë policinë, prokurorët, punonjësit sociale dhe përfaqësuesit e medias që raportojnë në lidhje me çështjet gjinore, krimin dhe dhunën, si përfitues të trajnimeve dhe ndërtimit të kapaciteteve dhe si pjesëmarrës në diskutime, debate, takime tematike dhe konsultime.

Gjithashtu, ne përfitojmë nga kontributet e një rrethi të gjerë ekspertësh rajonalë, këshilltarësh, konsulentësh dhe zyrtarësh, të cilët ndajnë njohuritë, ekspertizën dhe përvojën të cilat ofrojnë informacione për aktivitetet e Rrjetit kurdo që lind nevoja.

Share This