Kampionët e Çështjeve Gjinore në Rrjetin e Gjyqësorit (ang. GCJ) janë pjesë e një rrjeti rajonal me gra dhe burra në Ballkanin Perëndimor të përkushtuar për avancimin e barazisë gjinore. Rrjeti është themeluar në vitin 2022, dhe është i pari i llojit të vet në rajon.
Rrjeti GCJ u zhvillua si pjesë e projektit Barazia dhe Lufta kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Femicideve në Ballkanin Perëndimor, financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Projekti synon të rrisë qasjen në drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore përmes rritjes së të kuptuarit të çështjeve gjinore në gjyqësorin e Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i projektit do të arrihet përmes:
- punës analitike që synon të përcaktojë mangësitë që ekzistojnë në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare;
- rritjes së përafrimit të praktikës gjyqësore në WB6 lidhur me dhunën me bazë gjinore dhe femicidet me praktikën e mirë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardet ndërkombëtare;
- rritjes së njohurive dhe ndërgjegjësimit për çështjet gjinore midis gjyqtarëve dhe profesionistëve të tjerë të gjykatave;
- përfshirjes së barazisë gjinore në të gjitha praktikat gjyqësore.
Rrjeti GCJ vepron në gjashtë juridiksione në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
I themeluar nga Qendra AIRE në bashkëpunim me Institutet e Kualifikimit Gjyqësor në secilin juridiksion, Rrjeti menaxhohet nga një Bord Rajonal i cili përbëhet nga ekspertë të lartë prej tërë rajonit, dhe mbështetet nga një Bord Patronësh i përbërë nga juristë të njohur, përfshirë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Rrjeti GCJ ofron mundësi për fuqizimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit, dhe për ndarjen e praktikave më të mira mes gjyqtarëve dhe ushtruesve të profesionit ligjor në rajon. Ne punojmë nga afër me Institutet e Kualifikimit Gjyqësor (ang. JTI) në rajon për të organizuar trajnime specifike, kërkime dhe publikime rreth çështjeve të barazisë gjinore, dhe ofrojmë një model të strukturuar rrjetëzimi dhe mentorimi.
Gjithashtu, punojmë edhe më gjerë me hisedarë, institucione dhe përfaqësues të tjerë për të thelluar të kuptuarit mes profesionistëve gjyqësorë dhe ligjorë të impaktit të stereotipeve gjinore, dhe për të inkurajuar një qasje të gjithëpërfshirëse drejt arritjes së zbatimit efektiv të masave të barazisë gjinore në të gjitha këto institucione.
- Rritja e ndërgjegjësimit mbi çështjet gjinore, natyrën dhe efektet shkatërrimtare të stereotipeve gjinore në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, dhe rolin e gjyqësorit në trajtimin e këtyre problemeve.
- Fuqizimi i aftësive, njohurive dhe praktikës së gjyqtarëve në lidhje me barazinë gjinore dhe stereotipet gjinore.
- Inkurajimi i zbatimit efektiv të instrumenteve ligjore kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare lidhur me barazinë gjinore.
- Lehtësimi i përhapjes së njohurive, aftësive, përvojave dhe ideve lidhur me barazinë gjinore mes gjyqtarëve dhe profesionistëve të së drejtës në tërë rajonin.
- Avancimi i zhvillimit profesional dhe personal të gjyqtareve gra në rajon.