Rrjeti i Kampionëve të Çështjeve Gjinore në Gjyqësor ngrihet në Sarajevë
12 korrik 2022, Sarajevë, BiH

Me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Qendrën AIRE në korrik 2022, të gjitha qendrat e trajnimit gjyqësor në rajon iu bashkuan iniciativës për ngritjen e Rrjetit të Kampionëve të Çështjeve Gjinore në Gjyqësor. Kjo iniciativë u nis në fillim të prillit në Forumin Gjyqësor për Barazinë Gjinore në Budva, pjesëmarrësit e të cilit theksuan nevojën për një qasje të koordinuar në trajnimin e profesionistëve të drejtësisë në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor në lidhje me këtë çështje.

“Rritja e barazisë është qëllim i rëndësishëm në të gjitha vendet e Evropës. Megjithatë, ka disa faktorë socialë në Ballkanin Perëndimor që e bëjnë këtë çështje posaçërisht të rëndësishme për këtë rajon. Dhuna e përhapur kundër grave, ekzistenca e stereotipeve gjinore, nën-përfaqësimi i grave në politikë dhe në poste të larta, si dhe impakti i pandemisë Covid-19 tek gratë që kanë qenë edhe përpara në gjendje të cenueshme janë vetëm disa prej faktorëve që tregojnë se përmirësimi i statusit të grave në rajon është imperativ i yni. Gratë janë të barabarta në ligj por jo në praktikë. Zbatimi i ligjeve dhe masave për arritjen e barazisë gjinore mbetet sfidë serioze, dhe gjykatat vendase dhe ekspertët ligjorë në tërë rajonin luajnë rol jetik në reagimin ndaj kësaj sfide,” tha Biljana Braithwaite, Drejtoreshë e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve të dyanshme, Qendra AIRE ka vendosur bashkëpunimin me institutet e trajnimit gjyqësor në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, dhe Kosovë, duke shtruar rrugën për aktivitetet e Rrjetit. Zbatimi i iniciativës është mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Znj. Braithwaite përgëzoi zotimin e qendrave të trajnimit gjyqësor dhe përpjekjet e tyre për bashkëpunim rajonal në fushën e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ajo theksoi se ekzistenca e Rrjetit do të vendosë themelet e bashkëpunimit mes qendrave të trajnimit gjyqësor edhe në fusha të tjera gjithashtu.

“Rrjeti do të ofrojë mundësi për fuqizimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes gjyqtarëve dhe praktikantëve, me trajnime specifike që synojnë të kenë impakt praktik, me kërkime të thelluara dhe ndarje njohurish, shkathtësish, përvojash dhe idesh në lidhje me barazinë gjinore, përmes një rrjeti të strukturuar lidhjesh dhe mentorimi,” përfundoi znj. Braithwaite.

Share This