Qendra AIRE, FemPlatz, dhe pesë organizata partnere të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor, Qendra për të Drejtat e Njeriut në Demokraci nga Shqipëria, Qendra për të Drejtat e Grave nga Bosnja dhe Hercegovina, Qendra për të Drejtat e Grave nga Mali i Zi, Rrjeti Kombëtar për t’i Dhënë Fund Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje nga Maqedonia e Veriut dhe Shoqata e Viktimologjisë e Serbisë, do të monitorojnë proceset gjyqësore në çështjet e femicideve, tentativës për femicide dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore në vitin 2023. Ky bashkëpunim filloi me një program trajnimi dy-ditor të organizuar në Beograd më 27 dhe 28 mars 2023. Gjatë trajnimit u diskutua metodologjia e monitorimit, duke përfshirë tema të tilla si përzgjedhja e çështjeve që do të monitorohen, rrjedha e procesit të monitorimit dhe raportet e monitorimit.
“Monitorimi i femicideve dhe dhunës me bazë gjinore është thelbësor për të kuptuar më thellë atë që ndodh pas dyerve të sallave të gjyqit dhe për të fituar njohuri dhe perspektivë se si zhvillohen këto procese gjyqësore. Besojmë se ky është një nga hapat e parë që kërkohet për një luftë efektive kundër dhunës me bazë gjinore, pasi jo vetëm do të përmirësojë të kuptuarit tonë për këtë temë, por do të shërbejë edhe për të marrë ide për masa të synuara që do të zbatohen në të ardhmen”, tha Sabina Đapo, Menaxhere Projekti e Qendrës AIRE.
Gjetjet kryesore të mbledhura nga ky proces monitorimi do të paraqiten në një raport krahasues për Ballkanin Perëndimor.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë historik të ngjashëm ligjor, politik dhe shoqëror, dhe për këtë arsye ata përballen me probleme të ngjashme sa i takon luftës kundër femicideve. Masat tona të përbashkëta në drejtim të monitorimit të proceseve gjyqësore në çështjet e femicideve, tentativës për femicide dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore do ta sjellin këtë temë nga niveli kombëtar në atë rajonal, pasi jo vetëm që do të fuqizojë avokimin kombëtar, por gjithashtu do të sigurojë një platformë për veprim rajonal,”, tha Biljana Janjić, Drejtore Ekzekutive e FemPlatz.
Në janar 2023, Qendra AIRE nisi një projekt shumëvjeçar “Barazia gjinore dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore dhe femicideve në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Qëllimi i këtij projekti është të rrisë aksesin në drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore duke përmirësuar të kuptuarit e çështjeve gjinore në gjyqësorin e Ballkanit Perëndimor. Aktivitetet e projektit do të përqendrohen te përafrimi i praktikës gjyqësore për dhunën me bazë gjinore dhe femicidet me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare. Për më tepër, qëllimi i projektit është rritja e njohurive dhe ndërgjegjësimit për çështjet gjinore, si dhe rritja e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe profesionistëve të tjerë ligjorë të gjyqësorit. Mësoni më shumë në Platformën Gjinia dhe Gjyqësori në Ballkanin Perëndimor.