Nga korniza ligjore te praktika gjyqësore: Si i është përgjigjur Kosova çështjes së femicidit?

15 March 2024

Nga viti 2018 deri në vitin 2022, në Kosovë janë kryer njëzet femicide dhe katër tentim-femicide dhe pothuajse në të gjitha rastet, viktimat janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, thuhet në raportin “Femicidi në Republikën e Kosovës: Korniza ligjore dhe praktika gjyqësore (2018–2022)”. Ky raport, i cili u prezantua sot në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive” në Prishtinë, përmban një analizë të legjislacionit dhe praktikës gjyqësore dhe ofron rekomandime të rëndësishme për forcimin e përgjigjes gjyqësore ndaj femicidit.

“Nga aspekti kushtetues dhe ligjor, mund të argumentohet se Kushtetuta dhe legjislacioni i Republikës së Kosovës ― i cili përfshin zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit ― është mjaft i avancuar për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive dhunën ndaj grave, duke përfshirë edhe femicidin”, tha Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, autore e këtij raporti.

“Megjithatë, si në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, pengesa kryesore është zbatimi jo i duhur dhe/ose i pamjaftueshëm i legjislacionit në fjalë. Ne mbetemi të përkushtuar që përmes legjislacionit, gjyqësorit të fuqizuar, aktiviteteve të vazhdueshme të shoqërisë civile, mediave dhe studimeve, të tilla si studimet e kryera nga Qendra AIRE ― termi femicid, një ditë të njihet nga të gjithë si fenomeni i përhapur që realisht është, e që nuk mund të fshihet më nën terma të përgjithshëm që maskojnë praninë e tij të ashpër dhe të gjerë”, shpjegoi gjyqtarja Gërxhaliu-Krasniqi.

Raporti përqendrohet te analizën e katër aktgjykimeve të formës së prerë në çështje të lidhura me vrasjen e grave në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022. Përderisa dënimet për këto femicide ishin relativisht të larta, hulumtimi tregon se këto aktgjykime, në pjesën më të madhe, nuk i janë përmbajtur Udhëzuesit për politikën ndëshkimore të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës sa i përket rrethanave rënduese dhe lehtësuese, tha Dr. Kosana Beker, eksperte kryesore për barazi gjinore në Qendrën AIRE dhe redaktore e këtij raporti.

“Statusi familjar dhe ekonomik, mosha dhe pendimi i kryerësit janë konsideruar si rrethana lehtësuese, edhe pse nuk është dashur të vlerësohen si të tilla, duke pasur parasysh kontekstin e këtyre rasteve. Gjithashtu, hulumtimi ka treguar se gjykatat i drejtojnë viktimat të parashtrojnë pretendimet e tyre për dëmshpërblim në proces civil, gjë që përbën një praktikë që duhet ndryshuar, pasi mund të sjellë kosto shtesë të panevojshme dhe riviktimizim të viktimave”, tha Dr. Beker.

Rekomandimet e raportit theksojnë rëndësinë e kriminalizimit të femicidit, përmirësimit të hetimeve, miratimit të protokolleve të veçanta dhe rritjes së mbledhjes së të dhënave për të përmirësuar ndjekjen penale të femicidit dhe formave të tjera të dhunës në baza gjinore dhe për të siguruar drejtësi për viktimat, në pajtim me instrumentet përkatëse ndërkombëtare.

Raporti gjithashtu thekson nevojën për zbatimin më të mirë të kornizës ekzistuese legjislative të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2019, sipas të cilave parashihen rrethana të reja për cilësimin e vrasjes së rëndë bazuar në gjininë dhe/ose identitetit gjinor. Raporti nënvizon gjithashtu edhe rëndësinë e Ligjit për Mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, i cili ndihmon për zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe, rrjedhimisht, për parandalimin e femicidit. Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, i cili përcakton afate më të shkurtra për hetimin dhe përfundimin e shqyrtimit gjyqësor për veprat penale të përdhunimit dhe dhunës në familje.

Raporti “Femicidi në Republikën e Kosovës: Korniza ligjore dhe praktika gjyqësore (2018–2022)”, i përgatitur nga Qendra AIRE në bashkëpunim me FemPlatz-in, dhe me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, është i qasshëm në ueb-faqen zyrtare të Qendrës AIRE.

Gjetjet dhe rekomandimet e këtij publikimi kanë kontribuar në hartimin e një raporti rajonal mbi praktikën gjyqësore në rastet e femicideve, si dhe për zhvillimin e programeve të trajnimit të ekspertëve dhe për udhëzime të tjera, duke synuar përfundimisht të çojnë në një përgjigje më efektive gjyqësor ndaj rasteve të femicideve dhe dhunës në baza gjinore.

Share This