Në Sarajevë mbahet konferenca për parandalimin e femicidit
25 mars 2022, Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë

Në Sarajevë u zhvillua ngjarja “Luftimi i Femicidit në Bosnje dhe Hercegovinë – Standardet Ndërkombëtare dhe Praktika Gjyqësore e Gjykatave të Bosnje dhe Hercegovinës”, e organizuar nga Qendra AIRE në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Gjykatën Supreme të Republika Srpska, dhe Gjykatën e Apelit të Rrethit Brcko të Bosnje dhe Hercegovinës. Me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, organizatorët bashkuan përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, institucione dhe organizata joqeveritare nga Bosnja dhe Hercegovina për të diskutuar përmirësimin e punës së institucioneve gjyqësore në ndjekjen dhe parandalimin e femicidit.

Robert Spano, Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ishte një prej folësve kryesorë i cili foli rreth praktikës gjyqësore të GjEDNj-së në fushën e dhunës së bazuar në gjini. “Konventa cakton detyrime pozitive mbi agjencitë e zbatimit të ligjit në lidhje me çështjet e dhunës së bazuar në gjini. Ato duhet të miratojnë masa hetimore të ndjeshme ndaj aspektit gjinor, të cilat marrin parasysh strukturat e fuqisë dhe modelet e sjelljes që fshihen pas dhunës e cila shpeshherë manifestohet në këtë fushë,” tha Kryetari Spano.

Në konferëncë u prezantua Analiza e Praktikës së Gjykatave në Procesimin e Femicidit dhe Femicidit në Tentativavë në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo analizë përfshinte 34 procedura gjyqësore të zhvilluara në periudhën nga fillimi i vitit 2017 deri në mes të vitit 2021 para gjykatave në Bosnje dhe Hercegovinë. Biljana Braithwaite, Drejtoresha e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor, theksoi që Analiza ka treguar se dhuna e burrave kundër grave është shumë e përhapur dhe se kësaj çështjeje duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ky publikim është mbështetje e dobishme për përpjekjet avokuese për të inkriminuar femicidin si vepër e ndarë penale kundër jetës dhe trupit, por gjithashtu edhe për të fuqizuar kapacitetin e gjyqësorit dhe institucioneve, si dhe ekspertëve të tjerë, që punojnë në ngritjen e vetëdijes rreth efekteve negative të stereotipeve gjinore, për të promovuar një kulturë barazie gjinore dhe për të parandaluar të gjitha format e diskriminimit kundër grave,” shtoi Drejtoresha Braithwaite.

Matt Field, Ambasadori anglez në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se femicidi dhe femicidi në tentativë janë format më ekstreme të dhunës kundër grave, dhe shprehu krenarinë që Mbretëria e Bashkuar ka mundësinë të ofrojë mbështetje në një fushë kaq të rëndësishme për shoqërinë e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Është e nevojshme të fuqizohen kapacitetet e gjykatave dhe prokurorive, dhe njëkohësisht të punohet drejt ngritjes së vetëdijes dhe eliminimit të diskriminimit, paragjykimeve dhe stereotipeve të bazuara në gjini në tërë shoqërinë,” theksoi Ambasadori Field. Analiza tregoi që, për parandalimin efektiv të femicidit, është e nevojshme të përmirësohet pozita e gruas në të gjitha fushat e jetës shoqërore, të punohet sistematikisht në dekonstruktimin e stereotipeve e paragjykimeve gjinore dhe në ndryshimin e modeleve gjinore patriarkale, të integrohet perspektiva gjinore në të gjitha politikat shtetërore, të fuqizohen institucionet e drejtësisë penale, dhe të implementohen programe trajnimi për profesionistët në institucionet sociale, shëndetësore dhe edukative.

Share This