Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut: gjyqtarët në të gjithë rajonin bashkojnë forcat për të mbështetur barazinë gjinore
10 dhjetor 2022

Qendra AIRE e kujtoi Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duke njohur publikun e gjerë me Gender Champions të krijuar së fundmi në Rrjetin Gjyqësor (Rrjeti GCJ), duke mbledhur së bashku gjyqtarë me emër nga i gjithë rajoni të angazhuar për forcimin e barazisë gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është rrjeti i parë që mbledh së bashku profesionistët e drejtësisë në rajon për të promovuar barazinë gjinore. Rrjeti GCJ do të ketë platformën e vet të internetit (www.gcjnetwork.org), e cila do të mbledhë ekspertë në këtë fushë, do të zbatojë programe rajonale të trajnimit online, si dhe do t’u ofrojë anëtarëve të saj mundësi për të shkëmbyer aftësi, njohuri dhe përvojë.

Puna e Rrjetit GCJ koordinohet nga Qendra AIRE, në bashkëpunim me institucionet e trajnimit gjyqësor në rajon, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Misioni parësor i këtij rrjeti gjyqtarësh të Ballkanit Perëndimor të angazhuar për luftimin e paragjykimeve dhe stereotipeve gjinore është të mbrojë barazinë gjinore përmes praktikave të të gjitha gjykatave kombëtare dhe bashkëpunimit rajonal për rritjen e ndërgjegjësimit për barazinë gjinore në gjyqësor. Në kontekstin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Drejtorja e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor, Biljana Braithwaite, theksoi rëndësinë e njohjes së grupeve që janë më shumë objekt i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe se si sistemet gjyqësore mund të kontribuojnë për mbrojtjen efikase të të drejtave të tyre.

“Edhe pse gratë dhe burrat janë të barabartë sipas ligjit, gratë në rajonin tonë janë ende në pozitë inferiore ndaj burrave në të gjitha sferat e jetës publike dhe private. Gratë përballen me sfida të shumta, nivelet e punësimit të tyre janë të ulëta, duke i vendosuar ato në disavantazh ekonomik. Ato janë veçanërisht të prekura nga dhuna e theksuar dhe e përhapur me bazë gjinore. Që gratë në shoqëritë e Ballkanit të jetojnë jo vetëm një jetë pa frikë, por edhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e saj, një dhunë e tillë duhet të parandalohet dhe penalizohet dhe grave duhet t’u garantohet aksesi i barabartë në shërbime dhe barazi në gëzimin e të gjitha të drejtave të tyre. Nëse gjykytat në fund nuk sigurojnë zbatimin e ligjeve, ne do të mbetemi në nivelin e deklaratave. Prandaj është i rëndësishëm mesazhi që sistemet e drejtësisë po dërgojnë përmes krijimit të këtij Rrjeti: Ne e njohim rëndësinë e barazisë gjinore dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë për realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në rajon”, tha Braithwait.

Mbështetësit e Rrjetit GCJ përfshijnë Presidenten e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) Siofra O’Leary, ish-Presidentin e GJEDNJ-së Robert Spano dhe gjyqtarë nga rajoni: Ivana Jelić, Mirjana Lazarova Trajkovska dhe Ledi Bianku.

“Barazia gjinore qëndron në thelb të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, respektimit të shtetit të së drejtës dhe promovimit të mirëqenies për të gjithë. Rrjeti GCJ është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë rrugë, në rajonin tuaj, si dhe në Evropë. Unë jam krenar që jam një nga mbrojtësit e kësaj nisme”, tha Presidentja e GJEDNJ-së O’Leary.

“Gjykatat janë pjesë integrale e mënyrës se si ne e shohim rregullimin e realitetit shoqëror. Nëse duan të lundrojnë me sukses nëpër sfidat komplekse të jetës, ato duhet të kuptojnë strukturat bazë të pushtetit dhe modelet e sjelljes njerëzore që i japin jetë ligjit. Edukimi vazhdues për çështje të tilla si barazia gjinore është një pjesë e rëndësishme e një zyre gjyqësore. Barazia gjinore është në fund një nga shtyllat e çdo shoqërie që aspiron të jetë një demokraci e mirëfilltë e udhëhequr nga shteti i së drejtës. Jam e nderuar që jam Presidente e Bordit të Mbrojtësve të Rrjetit [GCJ]. Diskriminimi me bazë gjinore në çdo formë, dhe veçanërisht dhuna ndaj grave, duhet luftuar me çdo kusht. Unë ia kam dedikuar karrierën time, jo më pak gjatë nëntë viteve të fundit si gjyqtar dhe më pas si President i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sigurimit të barazisë së burrave dhe grave si një e drejtë kyçe themelore e njeriut. Gjyqtarët janë në vijën e parë të kësaj beteje, veçanërisht në rajon. Burrat dhe gratë duhet të luajnë rolin e tyre këtu me forcë të barabartë. Mezi pres të luaj rolin tim dhe t’i jap rrjetit mbështetjen time të plotë”, tha Robert Spano.

Rrjeti GCJ u krijua nga Qendra AIRE në bashkëpunim me akademitë gjyqësore dhe qendrat e trajnimit të gjyqësorit dhe prokurorisë në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, të cilat iu bashkuan rrjetit në korrik të vitit 2022. Drejtorja Braithwaite theksoi se aktivitetet e përbashkëta do të synojnë të rrisin ndërgjegjësimin mbi natyrën dhe pasojat e stereotipeve gjinore në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, mbi efektet e tyre negative në vendimet e gjykatave dhe rolin e gjyqësorit në trajtimin e këtyre çështjeve.

“Rrjeti GCJ do të ndërtohet mbi aftësitë, njohuritë dhe praktikat e gjyqtarëve në lidhje me barazinë gjinore dhe stereotipet gjinore. Së bashku, ne duhet të inkurajojmë zbatimin efektiv të instrumenteve ligjore kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare për barazinë gjinore dhe të lehtësojmë shkëmbimin e aftësive, njohurive, përvojës dhe ideve në lidhje me barazinë gjinore midis gjyqtarëve dhe profesionistëve të së drejtës në të gjithë rajonin. Dhe, së fundi, Rrjeti GCJ do të mbështesë përmirësimin e zhvillimit profesional dhe personal të gjyqtareve femra në rajon. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që e mbështetën nismën. Le të kujtojmë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duke hapur një kapitull të ri në një gjyqësor që është i angazhuar për të mbrojtur barazinë gjinore”, përfundoi Braithwaite.

Share This