Hapet në Beograd forumi më i madh rajonal gjyqësor mbi barazinë gjinore
2 qershor 2023

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ligje të mira, por për shkak të zbatimit joefektiv të tyre, gratë janë ende një ndër kategoritë më të cenueshme në rajon.

Mbi 100 aktorë kryesorë gjyqësorë nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë presidentin dhe gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kryetarët dhe gjyqtarët e institucioneve gjyqësore rajonale dhe të institucioneve të tjera shtetërore, akademikë dhe organizata joqeveritare, u mblodhën sot në Beograd për forumin e dytë rajonal gjyqësor “Barazia Gjinore dhe Ballkani Perëndimor” organizuar nga Qendra AIRE, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi dhe organizatën joqeveritare FemPlatz. Qëllimi i forumit është të trajtojë pyetjen se si gjyqësori mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive llojeve të ndryshme të pabarazisë gjinore dhe dhunës në Ballkanin Perëndimor. Forumi arriti në përfundimin se vendet e rajonit kanë përgjithësisht ligje gjithëpërfshirëse, por numri i madh i rasteve të dhunës dhe diskriminimit me bazë gjinore tregon se Ballkani Perëndimor është ende larg zbatimit të zgjidhjeve ekzistuese në praktikë, prandaj gratë janë ende një kategori shumë e cenueshme.

“Duke hedhur dritë mbi nevojën për të trajtuar paragjykimet, diskriminimin dhe madje edhe dhunën ndaj grave dhe vajzave në shoqëritë tona, si në rastin e Forumit Gjinor, ne i afrohemi arritjes së barazisë gjinore. Në fund të fundit, një realitet nuk mund të ndryshohet nëse atë nuk e identifikon dhe nuk e kupton më parë. Përparimi nuk varet vetëm nga ligjet, megjithëse ligji është një mjet i fuqishëm, por varet edhe nga ata që mbrojnë ndryshimin dhe që kërkojnë të përshtatin traditat, qëndrimet dhe zakonet gjatë zhvillimit dhe zbatimit të ligjit”, tha Síofra O’Leary, Presidente e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fjalën hapëse të Forumit.

“Ekspertët vënë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ligjet më të mira përsa i përket luftës kundër diskriminimit dhe dhunës dhe përveç kësaj ata kanë miratuar të gjitha standardet më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të grave. Megjithatë, për shkak të zbatimit joefektiv të tyre, gratë janë ende një nga kategoritë më të cenueshme të shoqërisë. Jemi dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të tyre, evidente në një numër të madh të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe femicideve në rajon. Të dhënat tregojnë se gratë janë kryesisht të pasigurta brenda shtëpive të tyre dhe dhunuesit janë, në shumicën e rasteve, personat më të afërt, për shembull, anëtarët e familjes ose partnerët e tyre. Për më tepër, çdo krizë e re, siç është pandemia globale e COVID-19-ës, çon në një shpërthim të ri dhune”, tha Biljana Braithwaite, Drejtore e Programit për Ballkanin Perëndimor e Qendrës AIRE.

“Megjithatë, dhuna që shohim është vetëm një simptomë e një problemi më të madh me të cilin përballet ky rajon. Pabarazia është e rrënjosur thellë në rajon, ajo është e ndërthurur me çdo pjesë të jetës publike dhe private të grave në Ballkanin Perëndimor. Dhuna dhe ngacmimi me bazë gjinore, aksesi i pabarabartë në arsim, diskriminimi në vendin e punës, nënpërfaqësimi në pozicionet vendimmarrëse dhe fakti që gratë ende zotërojnë më pak prona se burrat, janë problemet me të cilat gratë përballen çdo ditë. Kjo është tema më e rëndësishme e Forumit, pasi gjyqësori ka fuqinë të ndëshkojë në mënyrë efektive diskriminimin dhe dhunën dhe të pengojë akte të tilla në të ardhmen”, shpjegoi Braithwaite.

“Dhuna me bazë gjinore kërcënon jetën dhe mirëqenien e vajzave dhe grave kudo, duke i penguar ato të gëzojnë mundësitë që janë thelbësore për lirinë dhe zhvillimin e tyre: arsim, kujdes shëndetësor dhe punë. Përparimi i barazisë gjinore dhe dhënia fund e dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por edhe një shtyllë themelore e infrastrukturës së të gjitha demokracive dhe ekonomive të shëndetshme. Forumi i sotëm ishte një mundësi e rëndësishme për të zhvilluar njohuritë tona kolektive mbi llogaridhënien për dhunën me bazë gjinore, një pjesë e rëndësishme për ta bërë të ardhmen më të sigurt për gratë dhe vajzat kudo. Mbretëria e Bashkuar është e vendosur në angazhimin e saj për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave dhe për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore”, tha Alicia Herbert OBE, Drejtore për Arsimin, Çëshjet Gjinore dhe Barazitë në Zyrën e Komonuelthit për Punët e Jashtme dhe Zhvillimin (FCDO) dhe e Dërguara e Posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Barazinë Gjinore.

Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, Brankica Janković, vuri në dukje se numri i vrasjeve dhe dhunës me bazë gjinore ndaj grave në të gjithë rajonin është shumë shqetësues, prandaj edhe forumi i dytë gjyqësor “Barazia Gjinore dhe Ballkani Perëndimor” është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm për dialogun rajonal për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Ky Forum siguron një mundësi për aktorët gjyqësorë dhe aktorët e tjerë që luajnë rol në këtë proces për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri, me qëllimin përfundimtar për të luftuar në mënyrë efektive dhunën në familje dhe nga partneri. Njohja në kohë e dhunës dhe vlerësimi i nivelit të rrezikshmërisë së saj, shkëmbimi efektiv i informacionit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe zbatimi i masave që synojnë fuqizimin dhe garantimin e sigurisë së grave janë aspekte jetike në trajtimin e çështjes së dhunës me bazë gjinore, të cilat janë po aq të rëndësishme, si ndjekja penale dhe marrja e masave ndaj autorëve”, tha Janković.

Një nga temat kryesore të Forumit të këtij viti është përgjigja efikase gjyqësore ndaj femicideve dhe rasteve të tjera të dhunës me bazë gjinore në rajon. Në forum, gjyqtarët dhe ekspertët e tjerë do të diskutojnë praktikat më të mira në lidhje me hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e këtyre krimeve. Gjithashtu, si pjesë e Forumit do të prezantohet edhe raporti rajonal mbi përgjigjen e gjyqësorit ndaj femicideve në Ballkanin Perëndimor.

“Femicidi, përkatësisht vrasja e grave me bazë gjinore, është një fenomen i pranishëm dhe i përhapur në të gjitha vendet, por për këtë formë më të rëndë të dhunës ndaj grave nuk flitet sa duhet, veçanërisht në qarqet gjyqësore. Hulumtimi i praktikës gjyqësore në lidhje me femicidin në të gjitha vendet, përveç dallimeve dhe specifikave të caktuara të secilit vend, tregoi shumë ngjashmëri, prandaj ky forum është një mundësi për të diskutuar rekomandimet e dhëna në raport me gjyqtarë nga të gjitha vendet, duke përfshirë të gjithë procedurën, nga cilësimi i duhur i veprës penale deri te gjykimi dhe dënimi”, tha Kosana Beker, Drejtore Programi e organizatës joqeveritare FemPlatz dhe autore e këtij raporti.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme të ngjashme kur bëhet fjalë për luftën për barazi gjinore. Prandaj, Qendra AIRE, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, themeloi Rrjetin Kampionët Gjinor në Gjyqësor.

“Dhuna ndaj grave është një shkelje e përhapur dhe skandaloze e të drejtave të njeriut. Është endemike, një prani e vazhdueshme në komunitetet tona. Sistemi gjyqësor është një komponent themelor i drejtësisë dhe llogaridhënies për krimet e kryera kundër grave. Megjithatë, që ajo të jetë efektive, të gjithë pjesëmarrësit duhet të kenë njohuritë dhe mjetet për të kuptuar modelet themelore shoqërore të dhunës me bazë gjinore dhe origjinën e saj. Forumi është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve tona në këtë drejtim”, tha Robert Spano, President i Bordit të Mbrojtësve të Kampionëve Gjinor në Rrjetin Gjyqësor dhe ish-President i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sot, rrjeti numëron mbi 60 gjyqtarë nga rajoni dhe hapat e tij të ardhshëm do të diskutohen në ditën e dytë të Forumit. Misioni kryesor i këtij Rrjeti është të përmirësojë aftësitë, njohuritë dhe praktikën e gjyqësorit në lidhje me barazinë gjinore dhe stereotipet gjinore, të inkurajojë zbatimin efikas të instrumenteve ligjore kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zhvillimin profesional dhe personal të gjyqtareve femra në rajon.

Share This