Më 1 dhe 2 prill 2022, Qendra AIRE ftoi Forumin e parë Rajonal të Barazisë Gjinore për Ballkanin Perëndimor. Forumi u zhvillua në Budva (Mal i Zi) dhe bashkoi Kryetarin dhe Nën-Kryetarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Komisioneren e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe përfaqësues nga tërë rajoni, përfshirë kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave supreme dhe kushtetuese, ombudspersona, përfaqësues të instituteve të trajnimit gjyqësor, akademikë dhe përfaqësues nga sektori i OJQ-ve.
Prezantimet dhe diskutimet në panelet e Forumit distiluan parimet dhe kriteret kyçe të zhvilluara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut për sa i përket barazisë gjinore dhe diskriminimit mbi bazën e seksit. Për shembull, panelistët diskutuan detyrimet kyçe substanciale dhe procedurale sipas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur gratë nga dhuna shtëpiake dhe dhuna e bazuar në gjini. Pjesëmarrësit nga tërë rajoni më pas u mblodhën në grupe më të vogla tematike për të reflektuar mbi sfidat kryesore në implementimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në kontekstin shtëpiak. Forumi u organizua nga Qendra AIRE me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH.
Robert Spano, Kryetar i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, theksoi se gjyqtarët kanë një rol të madh për të luajtur në rezistencën ndaj stereotipeve, duke thyer paragjykimet dhe duke ngritur vetëdijen në lidhje me barazinë gjinore.
“Në këtë mënyrë, ne të gjithë kontribuojmë në barazinë gjinore, e cila është e rëndësisë kyçe për funksionimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë, si dhe për përmirësimin e mirëqenies për të gjithë,” tha Kryetari Spano.
Në fjalën e saj hyrëse, Dunja Mijatović, Komisionere e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, theksoi se dhuna kundër grave, përfshirë dhunën shtëpiake, “do t’i përkasin së kaluarës vetëm vetëm nëqoftëse punojmë së bashku kundër diskriminimit strukturor dhe ndërsektorial për të arritur barazinë gjinore.”
“Në kohë sfidash të mëdha, të cilat përkeqësojnë më tej dhunën dhe diskriminimin kundër grave dhe vajzave çdo ditë, Konventa e Stambollit mbetet shpresa jonë prijëse drejt zhdukjes së këtij fenomeni, duke sfiduar qasjet patriarkale që e mundësojnë atë, duke mbrojtur viktimat dhe duke dënuar kryesit, si dhe duke ngritur vetëdijen rreth efekteve të saj tek vajzat e gratë dhe tek shoqëria në tërësi,” shtoi Komisionerja Mijatović.
Forumi krijoi mundësinë që gjyqtarët dhe ekspertët ligjorë të flisnin rreth barazisë gjinore, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës shtëpiake, si dhe rreth aplikimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në rajon.
Biljana Braithwaite, Drejtoresha e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor, tha se njëanshmëritë dhe stereotipet gjinore që janë të pranishme në gjyqësor ndikojnë tek mundësitë e grave për të ushtruar të drejtat e tyre para gjykatave në rajon.
“Përveç diskutimeve rreth praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, është e rëndësishme të punohet drejt ndryshimit të qasjeve ndaj roleve të burrave dhe grave në shoqëri, e sidomos në gjyqësor, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja efektive e të drejtave të njeriut,” shtoi Drejtoresha Braithwaite.
Dritan Abazović, Zv/Kryeministri i Malit të Zi, theksoi se Mali i Zi, si anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian, është plotësisht i përkushtuar në fuqizimin e shtetit të së drejtës.
“Një prej themeleve të një shteti të drejtë është implementimi i barazisë së vërtetë gjinore. Vizioni ynë është një shoqëri moderne dhe e përparuar e cila respekton dhe trajton të gjithë qytetarët njësoj,” shtoi Zv/Kryeministri Abazović.
Zv/Ambasadori Anglez Steve Arrick tha se ‘të gjithë e dimë që praktika e dënimit për dhunë të bazuar në gjini në Ballkanin Perëndimor është e paqëndrueshme’. “Shpesh merren parasysh një gamë e gjerë rrethanash lehtësuese, çka shpie në dënime më të ulëta për kryesit. Rezultati është një sistem drejtësie që nuk vepron si pengues aq i fortë për dhunën e bazuar në gjini,” u shpreh Arrick.
Ai gjithashtu shtoi se Mbretëria e Bashkuar është lidhur në partneritet me Qendrën AIRE “për të gjetur mënyra për të mbështetur sistemin e drejtësisë duke ngritur një bazë të dhënash ku përfshihen praktikat më të mira dhe të mundësohet shkëmbimi i përvojave mes kolegëve gjyqësorë të tërë Ballkanin Perëndimor.”
Slobodan Šarić, Këshilltar i Shtetit të së Drejtës për Reformën Ligjore për Zhvillim Ekonomik në Ballkanin Perëndimor – projekti GIZ Gmbh, deklaroi se projekti i GIZ-it “Reforma Ligjore për Zhvillim Ekonomik”, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, kanë zhvilluar Udhërrëfyes për Reagimin në Aspektin Gjinor në Vendosjen e Çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën e bazuar në gjini.
“Ky dokument do të ndihmojë marrjen e një qasjeje reaguese ndaj çështjeve gjinore në punën e tyre, dhe do të sigurojë që ata t’i interpretojnë ligjet në përputhje me konceptet esenciale ndërkombëtare të barazisë dhe të drejtave të njeriut,” shtoi këshilltari Šarić.
Qendra AIRE, në bashkëpunim me Gjyqtaren Ivana Jelić, ka përgatitur një udhërrëfyes të ri të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Barazinë Gjinore dhe Diskriminimin mbi Bazën e Seksit.