Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare: Nga përfshirja tek drejtësia
10 mars 2023

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Rezolutën 75/274 më 28 prill 2021, në të cilën 10 marsi shpallet Dita Ndërkombëtare e Grave Gjyqtare, me qëllim të promovimit të pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë të grave në të gjitha nivelet e gjyqësorit.

Megjithëse gratë dhe burrat janë të barabartë me ligj, gratë në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të jenë në pozita inferiore krahasuar me burrat në të gjitha fushat e jetës publike dhe private. Pabarazia në përfshirjen dhe trajtimin e grave është e dukshme në thuajse të gjitha aspektet e jetës së tyre të përditshme, që nga shifrat e ulëta të punësimit dhe pronësimit e deri tek dizavantazhet e mëdha ekonomike. Më tej, gratë kanë më shumë gjasa të preken nga dhuna e theksuar dhe e përhapur me bazë gjinore. Ndërkohë që të gjitha gjykatat janë duke siguruar që ligjet të zbatohen dhe të drejtat e njeriut të mbrohen, roli i grave gjyqtare nuk ka qenë kurrë më thelbësor. Megjithatë, gratë ende janë të nën-përfaqësuara në gjyqësor, sidomos për sa i përket pozitave udhëheqëse në nivelet e larta të gjyqësorit. Duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, Qendra AIRE mëton të theksojë punën e jashtëzakonshme të grave të cilat shtrojnë rrugën drejt qasjes së shtuar në drejtësi dhe gjyqësor dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve e të gjitha qytetareve. Përfaqësimi i grave në gjyqësor është i rëndësisë themelore për të siguruar drejtësi për të gjithë/a, veçanërisht kur bëhet fjalë për grupet historikisht të margjinalizuara të shoqërisë. Në fakt, puna e gjyqtareve gra ka fuqinë të formësojë jetën e tërë komunitetit të gjerë, sepse duke ndëshkuar padrejtësitë ato njëkohësisht pengojnë kryerjen e këtyre akteve në të ardhmen.

Valerija Galić, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe anëtare e kampionëve gjinorë në Rrjetin Gjyqësor, theksoi se “ndër vite, gratë në gjyqësor kanë dëshmuar se mund të përballen me të gjitha sfidat që shoqërojnë situatën komplekse gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Nuk ndodh rrallë që gratë të emërohen në krye të institucioneve gjyqësore, qofshin ato edhe institucionet më të larta gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë. Aktualisht, tre gjykatat më të larta në Bosnjë dhe Hercegovinë drejtohen nga gra, të cilat me punën e tyre të përkushtuar e justifikojnë pozitën dhe rolin e tyre në sistemin gjyqësor të Bosnjë-Hercegovinës. Të gjitha gratë në gjyqësor hasen çdo ditë me shumë vendimmarrje të vështira, të cilave ato i qëndrojnë besnike me punën dhe argumentet e tyre. Në këtë kontekst, unë do të përmend atë çfarë ka thënë Ruth Bader Ginsburg, ish gjykatëse e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe avokate e të drejtave të grave: “Gratë i përkasin të gjitha vendeve ku merren vendimet. Gratë nuk duhet të jetë përjashtim”, tha gjyqtarja Galić.

Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe anëtare e Rrjetit të Kampionëve të Çështjeve Gjinore në Gjyqësor, deklaroi që “gjykatat janë mekanizmi më efektiv për zbatimin e mbrojtjes së barabartë të të drejtave të garantuara”.

“Gjykatat me diversitet në aspektin gjinor jo vetëm që përmirësojnë përfshirjen dhe legjitimitetin, por gjithashtu kontribuojnë në eliminimin gradual të stereotipeve gjinore dhe balancimin e qëndrimeve kulturore, e po ashtu sjellin perspektivën gjinore në vendimmarrje, duke përmirësuar kështu cilësinë e saj. Kjo avancon si besimin, ashtu edhe qasjen në sistemin gjyqësor. E ardhmja kërkon rritje të vazhdueshme të numrit të grave gjyqtare në pozita udhëheqëse. Një gjë e tillë do ta transformonte rolin e tyre nga vendimmarrëse gjyqësore në udhëheqëse të reformave dhe formësuese të sistemeve të qeverisjes dhe shtetit të së drejtës në vendet e tyre përkatëse”, tha Gjyqtarja Caka-Nimani.

Sokol Sadushi, në rolin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, deklaroi se, pavarësisht nga vështirësitë dhe sfidat e ndryshme, shumë gra kanë shtruar rrugën drejt përparimit që është shënuar drejt barazisë gjinore, ku kanë arritur të kapërcejnë pengesat dhe të ngrihen në pozita në gjykatat më të larta. Ai theksoi se “përmes zhvillimit të bashkëpunimit rajonal, diversifikimit të edukimit gjyqësor drejt barazisë gjinore në sistemin gjyqësor dhe promovimit të solidaritetit mes gjyqtarëve e gjyqtareve, së bashku mund t’ia dalim me sukses në rritjen e vetëdijes në aspektin gjinor në Ballkanin Perëndimor”.

“Është e rëndësishme të theksohet se përfaqësimi i grave në të gjitha nivelet e gjyqësorit jep kontribut të vlefshëm në rritjen e legjitimitetit të gjykatave, qasje të barabartë në drejtësi dhe besimin e publikut. Prania e grave në gjykata çon në një demokraci më të shëndetshme dhe rrit besueshmërinë e administrimit të drejtësisë duke ofruar një perspektivë ndryshe. Prandaj, gjykimi me perspektivën gjinore duhet të jetë në fokus të veçantë në sferën gjyqësore”, tha gjyqtari Sadushi, i cili është anëtar i Rrjetit të Kampionëve të Çështjeve Gjinore në Gjyqësor.

Mirjana Popović, gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Malit të Zi dhe Kryetare e Shoqatës së Gjyqtareve të Malit të Zi, vuri në dukje se përfshirja e grave në gjyqësor është thelbësore për legjitimitetin e gjykatave. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave Gjyqtare, ajo rikujtoi se “arritja e barazisë për gjyqtaret gra, për sa i përket përfaqësimit në të gjitha nivelet e gjyqësorit, është një qëllim që duhet të përmbushet jo vetëm për gratë, por gjithashtu sepse është e drejtë dhe e nevojshme të arrihet një shtet më i drejtë i së drejtës, dhe duhet të forcohet besimi i publikut tek gjyqësori, e rrjedhimisht ai do të perceptohet si më transparent, më përfshirës dhe si përfaqësim i vërtetë i qytetarëve/eve jeta e të cilëve/ave ndikohet prej tij”.

“Jemi duke u përballur me sfida dhe pengesa të shumta në aspektin gjinor, kur bëhet fjalë për arritjen e ekuilibrit gjinor në gjyqësorin tonë, duke nisur me procesin e përzgjedhjes së gjyqtareve, emërimi i gjyqtareve në pozita të larta në gjyqësor, ndërtimi i kapaciteteve për barazi gjinore në gjyqësor, krijimi i një ambienti pune stimulues për gratë në gjyqësor, organizimi i punës në gjyqësor duke marrë parasysh aspektin gjinor etj. Megjithatë, besoj sinqerisht se këto sfida dhe plot sfida të tjera do të jenë shtytje për të gjithë/a ata/o që janë përfshirë në këto procese. Në qoftë se i kapërcejmë këto sfida me sukses, gjyqësori mund të bëhet garantuesi i barazisë dhe drejtësisë kudo. Dhe për të gjithë/a!” tha gjyqtarja Popović.

“Drejtësia e vërtetë mund të arrihet vetëm kur gjyqësori të pasqyrojë me vërtetësi diversitetin e shoqërisë së cilës i shërben, përfshirë përfaqësimin e barabartë dhe domethënës të grave të cilat sjellin perspektiva dhe përvoja unike në bankën e trupit gjykues. Vërej se përfaqësimi i grave në gjyqësor është duke u përmirësuar, por beteja duhet të shkojë më tej drejt arritjes së një sistemi të barabarësisë që reflekton talentet, profesionalizmin dhe potencialin e secilës”, tha Natasha Gaber-Damjanovska, gjyqtare dhe Drejtoreshë e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë të Maqedonisë së Veriut, dhe anëtare e Rrjetit të Kampionëve të Çështjeve Gjinore në Gjyqësor.

Olivera Pejak-Prokeš, gjyqtare e Gjykatës së Apelit në Novi Sad të Serbisë, tha se “gratë në gjyqësor sjellin perspektivën dhe përvojën e tyre të ndryshme, dhe së bashku me burrat e fuqizojnë sistemin gjyqësor duke kontribuar në mbrojtjen më efektive të të drejtave të njeriut dhe forcimin e besimit qytetar tek gjyqësori në tërësi”, duke theksuar se kjo është posaçërisht e dukshme në “fushën e mbrojtjes nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve si dhe të gjitha viktimave të krimeve të rënda”.

“Përveç objektivit të përgjithshëm të përfshirjes së më shumë grave gjyqtare në gjyqësor, ne duhet të kemi parasysh që numri i tyre nuk është i barabartë me pushtetin e vërtetë që duhet për të ndikuar në mënyrë domethënëse në sistemin gjyqësor. Gratë në gjyqësor ende përballen me stereotipe dhe paragjykime kur bëhet fjalë për barazinë gjinore. Është e rëndësishme të promovohet vazhdimisht rëndësia e grave në gjyqësor, për të aplikuar standardet dhe parimet ndërkombëtare, për të shkëmbyer përvoja me gjyqtare nga vendet e tjera”, tha gjyqtarja Pejak Prokeš, e cila gjithashtu është anëtare e Rrjetit të Kampionëve të Çështjeve Gjinore në Gjyqësor.

Vitin e kaluar, Qendra AIRE, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ka ngritur Rrjetin e Kampionëve të Çështjeve Gjinore (ang. GCJ), në të cilin u renditën gjyqtarë e gjyqtare të njohur/a nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, me zotimin për fuqizimin e barazisë gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është rrjeti i parë që bashkon profesionistët/et gjyqësorë/e në rajon me qëllim të promovimit të barazisë gjinore. Gjithashtu, Rrjeti GCJ do të mbështesë përmirësimin e zhvillimit profesional dhe personal të gjyqtareve gra në rajon.

“Në mënyrë që gratë në shoqëritë e Ballkanit jo vetëm të jetojnë pa frikë, por edhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, dhuna gjinore duhet të ndalet dhe të penalizohet, dhe grave duhet t’u garantohet qasje e barabartë në shërbime dhe barazi në gëzimin e të gjitha të drejtave të tyre. Në qoftë se gjykatat nuk arrijnë të sigurojnë që ligjet të zbatohen, mbesim vetëm në nivelin e deklaratave. Prandaj është shumë i rëndësishëm mesazhi që po japin sistemet gjyqësore me ngritjen e këtij Rrjeti: E njohim rëndësinë e barazisë gjinore dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë drejt realizimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në rajon”, tha Biljana Braithwaite, Drejtoreshë e Programit të Qendrës AIRE për Ballkanin Perëndimor.

Share This