Avancimi i Drejtësisë dhe Fuqizimi i Grave — mendimi i ekspertëve mbi dhunën me bazë gjinore dhe diskriminimin
26 maj 2023

Ndërsa kuadri ligjor në Shqipëri është gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor, sfida për trajtimin e dhunës dhe diskriminimit me bazë gjinore lidhet me kuptimin dhe zbatimin efektiv të këtij kuadri ligjor. Në fakt, pavarësisht ekzistencës së ligjeve aktuale në Shqipëri që parashikojnë barazinë gjinore, barazia e plotë ekonomike, sociale dhe ligjore midis grave dhe burrave mbetet e paplotë për shkak të ndikimit mbizotërues të normave tradicionale dhe patriarkalizmit. Forumi i dytë gjyqësor i ardhshëm për Barazinë Gjinore dhe Ballkanin Perëndimor është një mundësi për sistemin gjyqësor që të kontribuojë për trajtimin e këtyre çështjeve. Në këtë artikull, ne eksplorojmë pikëpamjet e Ervin Sulajt, gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, dhe Ardjana Kalos, juriste dhe eksperte gjyqësore nga Shqipëria, në lidhje me dhunën dhe diskriminimin me bazë gjinore në vend./span>

Ervin Sulaj, gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në Shqipëri, dhe anëtar i Kampionëve Gjinorë në Rrjetin Gjyqësor (Rrjeti GCJ), theksoi se një ndër problemet kryesore lidhur me dhunën me bazë gjinore në Shqipëri është përgatitja e burimeve njerëzore brenda institucioneve të zbatimit të ligjit për të kuptuar dhe trajtuar në mënyrë efektive çështjen.

“Sistemi gjyqësor mund të kontribuojë duke përmirësuar kuptimin dhe zbatimin e legjislacionit që rregullon çështjet e dhunës me bazë gjinore përmes zgjidhjes efektive të këtyre çështjeve dhe gjithashtu duke ngarkuar me përgjegjësi personat dhe institucionet që nuk i trajtojnë ato”, tha gjyqtari Sulaj.

Ardjana Kalo, juriste nga Shqipëria dhe anëtare e Bordit Rajonal të Kampionëve Gjinorë në Rrjetin Gjyqësor (Rrjeti GCJ) thekson pengesat me të cilat përballen gratë për arritjen e potencialit të tyre të plotë për shkak të normave tradicionale dhe patriarkale të shoqërisë, veçanërisht në zonat rurale.

“Është bërë progres në aksesin në drejtësi, aksesin në shëndetësi, pjesëmarrjen politike dhe ekonomike të grave, por stereotipet gjinore dhe normat gjinore ende ndërhyjnë fuqishëm në jetën e grave. Legjislacioni ekzistues shqiptar parashikon të njëjtin status ligjor dhe të drejta si për gratë ashtu edhe për burrat, përfshirë ligjet për familjen, fenë, statusin personal dhe kombësinë, si dhe ligjet që lidhen me punën, pronën, trashëgiminë, punësimin, mundësinë për të marrë kredi dhe pronësinë ose menaxhimin e biznese apo pronave. Megjithatë, anketat tregojnë se gratë janë të nënpërfaqësuara në shumë fusha në nivelet më të larta. Për shembull, legjislacioni ekzistues urdhëron pagë të barabartë për punë të barabartë, megjithëse shumë punëdhënës privatë nuk e zbatojnë plotësisht këtë dispozitë. Në shumë komunitete, gratë përjetojnë diskriminim shoqëror për shkak të normave tradicionale shoqërore që i nënshtrojnë gratë ndaj burrave”, shpjegoi Kalo.

Kalo thekson gjithashtu se megjithëse Shqipëria ka një kuadër ligjor të përafruar me standardet ndërkombëtare për dhunën ndaj grave, zbatimi efektiv mbetet ende sfidë. Qasja në të drejtat qytetare dhe ndihmën juridike është e kufizuar. Kalo vëren se fuqizimi ekonomik i grave është hapi i parë kryesor.

“Duke synuar të arrijmë progres me fuqizimin efektiv të grave, duhet të synohen këto drejtime të njohura: rritja e nivelit të përfshirjes së grave në vendimmarrjen familjare dhe kontrolli mbi pasuritë e familjes, ulja e përvojave të dhunës me bazë gjinore, rritja e kontrollit me kalimin e kohës dhe aftësia për të rishpërndarë barrën e kujdesit. Megjithëse e drejta civile dhe familjare e Shqipërisë, duke përfshirë çështjet e trashëgimisë, i njeh gruas të drejtë të barabartë mbi pronë (përfshirë tokën) dhe megjithëse kohët e fundit janë miratuar përmirësime të legjislacionit në lidhje me regjistrimin e titullit të bashkëpronësisë së bashkëshortëve mbi pasurinë e patundshme (përfshirë tokën), vetëm një përqindje e vogël e grave zotërojnë prona të patundshme, sepse këto ligje nuk zbatohen në mënyrë efektive dhe/ose zbatohen dhe gratë vazhdojnë të jenë të margjinalizuara. Përveç kësaj, sipas ligjeve shqiptare, gratë mund të blejnë dhe të zotërojnë prona, megjithatë, këto ligje shpesh nuk zbatohen për shkak të normave sociale dhe kulturore. Gratë tradicionalisht nuk janë në gjendje të përfaqësojnë familjen në çështjet ligjore dhe është tepër e vështirë për gratë të bëhen pronare të pronave. Në përgjithësi, dhuna ekonomike ndaj grave është e pranishme në një masë të konsiderueshme në Shqipëri. Megjithatë, pavarësisht se ka një kuadër ligjor për dhunën ndaj grave dhe vajzave kryesisht të përafruar me standardet e BE-së, zbatimi vazhdon të jetë sfidë, e konfirmuar nga aksesi i ulët ekzistues ndaj të drejtave qytetare dhe ndihmës juridike”, shpjegoi Kalo.

Sulaj dhe Kalo pranojnë progresin e bërë lidhur me kuadrin ligjor të Shqipërisë dhe përpjekjet e institucioneve të pavarura, të tilla si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut të grave. Megjithatë, ata theksojnë rëndësinë e konsolidimit të zbatimit të ligjeve përmes trajnimeve të specializuara për gjyqtarët dhe prokurorët.

Forumi i Dytë Gjyqësor për Barazinë Gjinore dhe Ballkanin Perëndimor që po afrohet paraqet një mundësi për palët e interesuara në Shqipëri për të diskutuar dhe trajtuar më tej sfidat që lidhen me dhunën dhe diskriminimin me bazë gjinore.

Forumi i Dytë Gjyqësor për Barazinë Gjinore dhe Ballkanin Perëndimor, një aktivitet shumë i rëndësishëm rajonal për përgjigjen gjyqësore ndaj dhunës dhe diskriminimit me bazë gjinore, është vetëm gjashtë ditë larg. Forumi organizohet nga Qendra AIRE me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe synon të trajtojë çështjen se si gjyqësori mund të trajtojë lloje të ndryshme të pabarazive gjinore në Ballkanin Perëndimor. Ky aktivitet i nivelit të lartë do të mbledhë së bashku aktorë kryesorë gjyqësorë nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë përfaqësues nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, përfaqësues nga institucione të rëndësishme gjyqësore rajonale dhe institucione të tjera shtetërore, akademikë dhe OJQ.

Share This